Superliga gjen “pronarin”, Skënderbeu fiton dhe dominon ndaj Kukësit kampion!

Pas mesazhit të parë, ia ku erdhi edhe i dyti. Skënderbeu nuk ka kohë për të humbur, dhe paralajmëroi shpejt e shpejt dy rivalët për titull, fillimisht Partizanin e tani Kukësin. Fitoi 2-1 brenda në “Zeqir Ymeri” dhe tregoi se për momentin është një realitet tjetër i Superligës, padyshim favorit absolut për të fituar titullin. Prej dy vjetësh me probleme në kampionatin shqiptar, më herët me kurorën të hequr për skandalin e basteve, dhe vitin e kaluar të humbur me polemika pikërisht ndaj Kukësit, korçarët u rikthyen dominues.

Ishte ndeshja që trajneri Ilir Daja donte, ajo që dëshironin tifozët dhe presidenti Ardian Takaj. Një ekip që meriton të quhet europian, ndaj kampiones në fuqi, por që nuk ia doli të luante baraz me të. Edhe pse trajneri Mladen Milinkoviç njihej për futbollin e bukur, dhe pati sukses me Luftëtarin, ai nuk pati kohën e nevojshme për të ndërtuar një skuadër. Kjo u duk në fushë, me Kukësin që u mbështet më shumë në aftësitë e individëve, në goditje standarde apo në rastësi, në krahasim me lojën e rrjedhshme kolektive të rivalit.

Vendimtar fakti që klubi juglindor ka pasur më shumë stabilitet, me vetëm 3 trajnerë në 6 vjet, dhe me ndryshime graduale të lojtarëve, në krahasim me stolin kuksian që nuk ka gjetur qetësi, dhe ku trajnerët kanë zëvendësuar njëri-tjetrin me ritëm të shpejtë.

A mund të thuhet se Skënderbeu është shpallur që tani kampion? Do të ishte gabimi më i madh nëse këtë gjë e mendojnë vetë korçarët, me Superligën që ka luajtur deri tani vetëm 4 javë, dhe që duhet të zhvillojë edhe 32 të tjera.

Kukësi e Partizani janë ekipe në formim e sipër, dhe pas disa kohësh, mund të jenë rrezik më i madh për favoritët. Liga e Europës po ashtu do të luajë rolin e saj lodhës, siç e tregoi ndeshja e barazuar në Kamzë. Gjithsesi, pa frikë mund të pohohet se kampionati e ka rigjetur ekipin për t’u mundur.

Sfidanti.al