Superliga, drejtuesit e Kastriotit, sherr si në 2016, edhe policia pati frikë të ndërhynte!

U desh ndërhyrja e policisë që të shmangej më e keqja. Mjaftoi një gol i shënuar nga Tirana dhe një pretendim për parregullsi, që drejtuesit e Kastriotit të hynin në fushë për të kërkuar llogari, gati për t’u përplasur fizikisht. Fillimisht, në terrenin e “Selman Stërmasit” hyri trajneri krutan, Ramadan Ndreu, i cili i kërkoi llogari arbitrit që e quajti të rregullt golin e vendasve. Pretendimi i tij ishte që gjatë aksionit, pati një ndërhyrje të gabuar ndaj një lojtari të Kastriotit, i cili mbeti i shtrirë në fushë, por as gjyqtari dhe as lojtarët e Tiranës nuk e ndërprenë lojën.

Pamjet me ngadalësim nuk tregojnë ndonjë ndërhyrje të parregullt, por gjithsesi për krutanët ishte ndryshe. Më e keqja ndodhi kur në fushë hyri drejtuesi i miqve Alban Vogli, tepër i acaruar dhe gati të përplasej fizikisht me lojtarët apo stafin e Tiranës dhe me arbitritn. U desh ndërhyrja e policisë që të shmangej më e keqja, madje fillimisht edhe vetë forcat e rendit u treguan ngurrues për të reaguar.

Më në fund, pas disa minutash, Vogli u nxorr nga stadiumi, dhe ndeshja mundi të rifillojë. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dijë se Vogli është shoqëruar në komisariatin numër 2 për kundërshtim të uniformave blu. Tirana fitoi 1-0 me golin e shënuar nga mbrojtësi Hoxhallari në minutën e 77-të, dhe mbeti në pretendime për titullin kampion, ose të paktëm për t’u kualifikuar në Ligën e Europës, duke pasur 53 pikë në 32 ndeshje. Kastrioti, ndërkaq, rrezikon të bjerë nga kategoria.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në orën 16:00, Laçi fitoi 1-0 në fushën e Apolonisë me gol të shënuar nga Emiliano Musta në minutën e 48-të. Kurbinasit janë në vend të tretë me 56 pikë.

Sfidanti.al