Kur ka pak futboll në fushë, është krejt e arsyeshme që loja e fjalëve, ajo që mbush më shumë stadiumin e Derbit, të vazhdojë ritualin, pa patur merak nga e vërteta. Sapo ndeshja është ndërprerë për shkak të dritave, janë trajnerët që ndezin “gjeneratorët” për të mos lënë tifozët me sy mbyllur. Starova thotë se në momentin kur ikën dritat, Partizani i tij, sapo kishte marrë frenat e lojës. Kurse kolegu i tij Josa mendon se Partizani ishte ekipi më me fat, ngaqë fikja e dritave ishte e bekuar për ta. Kështu qënka derbi, me drita, apo pa drita, fituesin nuk gjen as në fushë, e as në morinë e fjalëve të përrallës, që mban emrin e bukur..derbi.
Atë ditë, kur shiu ndërpreu ndeshjen me Maqedoninë, e cila na kishte vënë poshtë dhe po na merrte shpirtin, falenderuam Zotin që na ndihmoi me dhuratën nga qielli. Këtë herë, kur derbi u këput në mes, në minutën e 63-të, ekipet po grinden se cili luajti më mirë me drita, dhe cili luajti më mirë në ..errësirë. Starova dhe Josa, duke dëgjuar edhe këshillat që ka dhënë De Biazi, si specialist i ndeshjeve me kusur, kur ca minuta luhen edhe të nesërmen, kanë shumë borxhe për të shlyer nga e djeshmja, bile nëse dëgjojnë italianin, kujdesi i tyre do të shkojë tek piket , gjë që do t’i zhgënjejë edhe njëherë tifozët.
Sfidanti .al