Tragjedia që ndodhi para dy ditësh në Kolumbi, ku u rrëzua një avion pasagjerësh, midis të cilëve ndodheshin edhe futbollistët e ekipit brazilian Çapekoense, ka tronditur të gjithë botën. Kryesia e klubit Atletiko Nasional, me të cilin do të duhej që të luante klubi fatkeq brazilian i mësipërm në finalen e Kupës së Amerikës së Jugut, kërkoi që ekipi Çapekoense të shpallet kampion i kësaj kupe. Në aksionin e ndihmës u përfshi edhe Kristiano Ronaldo që dhuroi tre milionë euro për familjet e futbollistëve që gjetën vdekjen në aksidentin ajror.
Ndërkohë, klubet brazilianë kanë ndërmarrë një nismë që klubi në fjalë, gjatë tre sezoneve të ardhshëm, të mos bjerë nga Liga e Parë, ndërsa premtuan se do t’i japin këtij klubi, si hua, futbollistë që ai të vazhdojë të konkurrojë në këtë ligë. Edhe Benfika e Lisbonës premtoi se do t’i japë hua disa futbollistë klubit brazilian të mësipërm, ndërkohë që klubi paraguajan, Libertad, i ofroi të gjithë futbollistët e tij që të luajnë, si të huazuar, me klubin brazilian Çapekoense.