Skënderbeu në finale, Shpëtim Duro dorëhiqet nga Flamurtari

Nuk mundi ta mbante më tej mbi kurriz këtë barrë. Shpëtim Duro nuk është më trajner i Flamurtarit, i dorëhequr pas disfatës së radhës me Skënderbeun dhe eleminimit nga Kupa e Shqipërisë. Humbja 0-2 brenda në Vlorë bëri që skuadra e Duros të dështonte në çdo objektiv deri tani, dhe specialisti tiranas e ndau mendjen që të mos vazhdonte.

Edhe pse vlonjatët kanë ende shpresa matematike për t’u kualifikuar në Ligën e Europës nga kampionati, Duro nuk deshi të priste më gjatë, ndoshta duke e ndjerë se nuk mund ta ndryshonte gjendjen.

Skënderbeu tregoi edhe një herë se është skuadra më e mirë në Shqipëri duke arritur suksesin e dytë radhazi në Vlorë ndaj Flamurtarit. Pak ditë më parë e mundën 3-0 në Superligë, ndërsa tani fituan 2-0 duke përmbysur suksesin vlonjat 1-0 arritur në Korçë në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Flamurtari i Duros u shfaq si një skuadër shumë e mirë në gjysmën e parë të sezonit, duke e mbyllur Superligën në vendin e dytë në dhjetor 2017, por viti 2018 ishte një mallkim i vërtetë, edhe pse trajneri solli disa përforcime në sulm. Vlonjatët patën probleme të shumta me gjyqtarët si dhe dëmtime, por gjithsesi rënia e muajve të fundit ishte dramatike.

Sa për Skënderbeun, ai do të përpiqet të fitojë Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori, ndërsa finalen do ta luajë ndaj Laçit. Sezonin e kaluar, korçarët e trajnerit Daja humbën në finalen ndaj Tiranës, në një ndeshje që u duk më shumë si një lëshim i humbësve sesa meritë e fituesve. Skënderbeu po ashtu pritet të fitojë titullin kampion, por me shumë gjasa të mos luajë në Champions për shkak të dënimit të dhënë nga UEFA.

Sfidanti.al