Është optimist trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, kur duhen 4-5 ditë deri në ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit në Ligën e Europës. Prova “gjenerale” u kalua me sukses me fitoren 4-1 ndaj Lushnjes në Korçë, në një ndeshje ku kryesuesit e Superligës bënë disa eksperimente dhe kursyen energji të lojtarëve të rëndësishëm.
Në fushë ishin Aliti, Dita, Muzaka, Shkodra dhe Taku si titullarë, diçka që nuk ndodh shpesh, ndërsa dosa lojtarë të tjerë u lanë pushim për përballjen ndaj serbëve në “Elbasan Arena”. Pjesa e parë mund të thuhet se ishte pak më e ekuilibruar, kur lushnjarët patën aq forcë fizike sa u kishte mbetur nga ndeshja e së enjtes. Kjo pjesë përfundoi 2-1 për vendasit, me dy gola të tiranasit Taku, dhe me barazimin e përkohshëm të Sefës.
Gjithsesi, Skënderbeu ishte gjithnjë në komandë, duke krijuar më shumë raste, edhe pse shënoi vetëm dy gola. Pas pushimit, siç e pohoi edhe trajneri i Lushnjes Bano, miqtë nuk patën energji për të përballuar lojën sulmuese të korçarëve duke pësuar dy gola të tjerë. Fillimisht, Soue dhe pastaj Xhejms e dërguan topin në rrjetë.
“Ndaj Partizanit të Beogradit do të luajmë vetëm për fitore, – tha Daja pas ndeshjes, – më vjen mirë për fitoren e thellë me lojë të mirë, por kjo erdhi sepse e vlerësuam maksimalisht kundërshtarin. Jemi të kënaqur që shënuam 4 gola dhe në këtë morën pjesë edhe sulmuesit. Më vjen mirë po ashtu për lojën e Donjet Shkodrës, që ka disa cilësi pozitive, por që duhet të ketë kërkesa ndaj vetes dhe të luajë gjithjnë si sot”.
Sfidanti.al