Skenar me paramendim tek Dinamo, Devolli u mor që në fillim si “rezervë” për Shkëmbin!

Zyrtarizimi u bë shumë vonë, kur gjithçka kishte marrë fund. E pati të vështirë Dinamo që të ndahej nga trajneri Bledi Shkëmbi, por përfundimisht kjo ndodhi, dhe klubi kryeqytetas lajmëroi vendimin në faqen zyrtare në FB. Në stol do të ulet Bledar Devolli, i cili deri pak javë më parë ishte trajner në Akademinë e Tiranës. Burime në klubin kryeqytetas bëjnë me dijë se afrimi i Devollit, që u prezantua si ndihmës i Shkëmbit jo shumë kohë më parë, u bë edhe për ta pasur si alternativë nëse do të ndodhte shkarkimi i trajnerit.

Presidenti Bardhi dëshironte një njeri që ta njihte futbollin shqiptar, dhe që të kishte sado pak kohë si pjesë ë stafit teknik të bluve. Ndihmës i Devollit do të jetë Erion Xhafa, trajner i Dinamos U19, i cili u kërkua edhe tek Partizani nga trajneri i ri, Dritan Mehmeti. Burimet në klub tregojnë se presidenti ka pasur bisedë me Shkëmbin shumë kohë përpara sesa të merrej vendimi për ndarjen, dhe sipas tyre Bardhi i ka thënë trajnerit se “ti i more paratë e mia, ti duhet të arrish rezultatet”.

Dinamo është në krizë rezultatesh dhe me të vërtetë rrezikon statusin në Superligë duke pasur vetëm 19 pikë në 19 ndeshje, 4 pikë larg vendit të fundit dhe 3 pikë larg vendit të 8-të që të zbret në plej aut. Blutë erdhën me pretendime në Superligë këtë sezon, duke pretenduar fillimisht kupat e Europës, por pastaj duke kërkuar titullin. Ekipi ka lojtarë mjaft të mirë, madje në janar u përforcua me të tillë si Lilaj e Rezhinaldo, por rezultatet nuk ndryshuan, e sidomos spikasin disa disfata të rënda si 0-4 me Tiranën apo Laçin dhe 3-6 në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Sfidanti.al