Për të folur as nuk bëhet fjalë, por gjithsesi nuk janë bunkerizuar. Tek Partizani vendosën të bëjnë një dhuratë mediatike, të hapnin dyert për stërvitjen në prani të kamerave, si për të treguar se derbi i javës së ardhshme ndaj Tiranës pritet me qetësi dhe moral të lartë. Trajneri Xhovani Kolela nuk është se i lodhi shumë lojtarët, dhe madje nuk bëri ndonjë përgatitje shumë specifike, me gjasë edhe për të mos zbuluar mënyrën sesi dëshiron të luajë në ndeshjen ndaj kampionëve. Gjithsesi, ishte e qartë se atmosfera ishte mjaft e mirë, edhe pse tensioni në prag të një derbi gjithmonë ekziston. Për momentin, ndoshta, nuk ndihet shumë sepse ndeshja luhet në 16 maj, dhe përpara saj janë zgjedhjet vendore të së dielës.
Fati i mirë i të kuqve është që skuadra nuk ka probleme. Dëmtimet janë harruar e janë lënë pas dhe mungesa e vetme, Sota, kthehet nga pezullimi. Kjo mund të jetë një kompensim për faktin se Partizani ka mjaft lojtarë të rinj, ku mungon përvoja e ndoshta udhëheqësit nuk janë aq të shumtë me largimin e Bitrit dhe Skukës. Të kuqtë e dinë se Tirana do të ketë tre mungesa të rëndësishme, ndonëse Kolela ka këmbëngulur se derbi nuk do të dijë se cila skuadër ka mangësi, se cila është më në formë apo më lart në stërvitje. Gjithsesi, fitorja me Kukësin dhe humbja e bardhebluve me Teutën në Durrës kanë ndikuar pozitivisht tek të kuqtë.
Sfidanti.al