Jetoi dhe luajti në kohë që sot janë të largëta. Kështu kur bëhet fjalë për epokën e viteve 50-të e 60-të të shekullit të kaluar, por edhe pse kanë kaluar mbi 60 vjet askush nuk mund ta harrojë Sulejman Maliqatin. Portieri i shquar i Partizanit dhe i kombëtares u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, ndërsa la pas një emër të madh. i lindur në Kavajë në 1928, Maliqati kaloi shpejt nga ekipi i qytetit, Besa, tek Partizani për të cilin luajti 14 vjet deri në fund të karrierës. Ai luajti 5 ndeshje me ekipin kombëtar, në kohën e rivalitetit me Qemal Voglin, të fundit në 1963 ndaj Danimarkës. Me Partizanin shkëlqeu gjatë dhe bën pjesë ndër legjendat e klubit kryeqytetas. Maliqati fitoi 7 tituj me fanelën e klubit të kuq, që nga viti 1954 deri në 1964, duke qenë në krah të lojtarëve si Resmja, Shllaku apo Pano. Ai mori titujt më të lartë të shtetit, ndërsa mbeti gjatë gjithë jetës një personalitet i futbollit, në fushë dhe jashtë saj. Ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta erdhën nga klubi i Partizanit, nga Teuta, Besa, Erzeni si dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Sfidanti.al