Fitoren e tretë radhazi e arriti, dhe po ashtu vendin e dytë. Skënderbeu nuk ka ndërmend të dorëzohet në Superligë, dhe suksesi ndaj Laçit nuk ia uli mundësitë për të arritur titullin e 7-të radhazi. I zakonshmi Hamdi Salihi ishte autori i golit në minutën e 21-të, gol që do të mbetej i vetmi deri në fund. Pavarësisht nga shifrat minimale, kampionët e drejtuar nga trajneri Ilir Daja e merituan plotësisht fitoren, madje duhej ta kishin arritur me epërsi shumë më të madhe.
Epërsia ndaj kurbinasve ishte e plotë, veçse pikërisht në fund korçarët mund të ishin ndëshkuar. Laçi e pati rastin për të barazuar, dhe nëse do të ndodhte pakkush do të kujtohej për lojën e mirë të Skënderbeut. Gjithsesi, fitorja u mor dhe kampionët kanë 41 pikë, dy më shumë se Partizani që mbeti në vendin e tretë.
Ndeshja tjetër u luajt në Shkodër dhe ishte shumë më dramatike. Pesë gola dhe përmbysje nga ana e vendasve që morën tri pikë shumë të rëndësishme. Flamurtari shënoi golin e parë, veçse vlonjatët nuk qenë në gjendje ta ndalonin deri në fund një Vllazni ku lojtarët e rinj kombinohen me ata me përvojë.
Sulmuesi kroat Tomisllav Bushiç, ish-lojtar i Vllaznisë, shënoi dy herë për miqtë, që ishin në barazim në minutën e dytë shtesë, veçse si përgjigje erdhën tre gola. Hebaj barazoi rezultatin në 1-1, Bakaj kaloi shkodranët në epërsi dhe Pjeshka realizoi golin e fitores përfundimtare në minutën e tretë shtesë. Suksesi e ngjit Vllazninë në 24 pikë, pranë vendit të pestë, ndërsa Flamurtari vazhdon të rrezikojë për të rënë nga kategoria.