Reagon Skënderbeu, fiton në Vlorë dhe pretendon titullin!

U desh të shënonte lojtari më i mirë që ka për të mos dalë përfundimisht nga gara për titull. Skënderbeu i Ilir Dajës arriti të reagonte pikërisht në momentin më të vështirë, atëherë kur kishte mbetur 8 pikë pas Partizanit dhe të fitonte në një nga fushat më të vështira për të, atë të Vlorë. Liridon Latifi shënoi në minutën e 47-të, pra me të nisur pjesa e dytë duke siguruar tri pikë të plota në stadiumin “Flamurtari”, në një ndeshje të luajtur “prej vërteti”, ndaj një ekipi vendas që është kandidat kryesor për të rënë nga kategoria.

Pjesa e parë ishte shumë e fortë, me Flamurtarin që e nisi më mirë, ndonëse nuk arriti të rrezikonte seriozisht portën e Shehit. Në të kundërt, kampionët ishin pranë golit kur e morën veten, dhe Muzaka, Jashanica e Gavazaj thuajse shënuan në minutat 36-39. Pasi korçarët kaluan në epërsi, Flamurtari reagoi siç duhet. Ekipi që kishte luajtur futboll mjaft të mirë edhe me ish-trajnerin Mezani, po e vazhdon këtë traditë dhe me Shpëtim Duron, veçse presioni i madh nuk e la të qetë as këtë herë. Humbi raste dhe ia rrezikoi edhe më shumë pozitën vetes në Superligë.

Në ndeshjen tjetër në “Selman Stërmasi”, u duk sikur “filmi ishte parë që më përpara”. Tirana sërish nuk dëgjoi që të fitonte, as në këtë duel. Përfundoi 0-0 ndeshja ndaj Teutës, që tregoi sërish dobësinë e madhe të 24 herë kampionëve. Madje, ishin durrsakët e Maganit që iu afruan golit në minutën e 77-të duke goditur traversën.

Renditja: Partizani 58, Kukësi 56, Skënderbeu 53, Luftëtari 36, Vllaznia 36, Teuta 32, Tirana 31, Laçi 28, Flamurtari 25, Korabi 12.

Sfidanti.al