“Pritet koka” e Brdariçit, por a është e keqja e Vllaznisë veç trajneri?!

Padyshim që kur një ekip ka 9 ndeshje që zhgënjen, njeriu i stoli rrezikon i pari. Kjo nuk mund të jetë përjashtim as për Vllazninë dhe trajnerin e saj, Tomas Brdariç, i cili tashmë është një “ish”. Drejtuesit shkodranë vendosën që ta shkarkonin pas humbjes me Bylisin në “Loro Boriçi”, ndërsa po mendohet për pasardhësin. Vllaznia e Brdariçit u shkëput deri në 9 pikë nga rivalët dhe po luante futboll të mirë dhe ishte në harmoni të plotë, por më pas diçka “u prish”.

Me gjasë, forcimi i skuadrave të tjera bëri që të zhdukej epërsia relative e kuqebluve me të tjerët, dhe pas kësaj humbi besimi e nisi trysnia. Duket se as Brdariçi nuk mund ta riparonte këtë problem, veçse nuk mund të harrohet fakti se Vllaznia këta vjet ka qenë ekip larg pretendimeve, madje u rrëzua nga Superliga, ashtu siç rrezikoi edhe vjet kur u shpëtua javët e fundit nga trajneri Hysen Dedja pas plej autit. Pra, për një ekip me një traditë të tillë në gati 10 vjet, a mund të thuhet se fajtori i vetëm për rënien ishte trajneri? Këtë do ta tregojnë javët në vazhdim, por duket e vështirë që njeriu i stolit të ketë “shkopin magjik”. Ekipin do ta marrë në drejtim ndihmësi i parë i Brdariçit, Elvis Plori.

Java 24: Vllaznia-Bylis 1-2, Kukësi-Apolonia 1-1; Nesër në 13:00, Tirana-Partizani, Skënderbeu-Laçi, në 16:00, Teuta-Kastrioti.

Renditja: Vllaznia 42 pikë, Laçi 41, Teuta 41, Partizani 39, Tirana 35, Kukësi 32, Kastrioti 28, Bylis 22, Apolonia 17, Skënderbeu 16.

Sfidanti.al