Bruklini vazhdon të shkaktojë frikë, në Boston mjafton Irvingu

Luajti ndaj një tjetër ish-skuadre nga e cila nuk ishte larguar shumë mirë, siç thuhet. Kajri Irving po bën atë që i kërkonte dikur Lebron Xhejmsi, kur ishin së bashku tek Klivlendi, pra po shfrytëzon në maksimum talentin e tij, veçse kjo gjë po ndodh tek Bruklini. Në skuadrën njujorkeze, Irvingu nuk ka (ende) ndonjë pakënaqësi dhe 40 pikët e shënuara nga ai, i dhanë ekipit fitoren e merituar në Boston 121-109. Bruklin po shtyn gjithnjë e më shumë drejt vendeve të para të Konferencës Lindore dhe me kthimin e Kevin Durantit ndoshta do të jetë skuadra favorite për titull. Vetë Irvingu vlerëson shumë Xhejms Hardenin, dhe jo vetëm për lojën në sulm. “Mendoj se Hardeni nënvlerësohet shumë në lojën në mbrojtje, – tha ai, – por, nuk është kurrë jashtë pozicionit dhe nuk kalohet lehtë në duelet një për një”. Në ekip ka ardhur edhe Blejk Grifit, i cili është i madh në moshë tashmë, por ka potencial të madh sidomos ofensiv, siç e ka treguar dikur me Klipersat.

Fitorja e 7-të, ndërkaq, në 8 ndeshjet e fundit për Miluokin, 134-101 ndaj Nju Jorkut dhe Antetokumbo realizoi tripëll dabëll në 29 minuta lojë, me 24 pikë, 10 topa në tabela e 10 asistë. Leonard shënoi 28 pikë në 28 minuta në fitoren e Klipersave ndaj Golden Stejtit, 130-104. Devin Buker pati 35 pikë në suksesin e 127-121 të Feniksit në Portlend.  Filadelfia, së fundi, nuk ndjeu mungesën e Embiidit dhe Sajmonsit duke fituar në fushën e Çikagos, 127-105.

Sfidanti.al