Partizanit i bashkohet (më në fund) afrikani Matongo, por “humb” Cvetanovskin!

Në prag të Ligës së Konferencës lajmet janë të mira, por edhe të këqija. Partizani mund të jetë më i kënaqur tani që mesfushori Masanga Matongo është bashkuar me ekipin në Slloveni. Të kuqtë janë prej shumë ditësh në vendin verior ballkanas, në përgatitje për Europën, ndërsa lojtari afrikan nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të problemeve me dokumentacionin. Matongo e mori më në fund vizën, ashtu si edhe afrikani tjetër Bincuka, dhe do të jetë pjesë e ekipit të trajnerit Dritan Mehmeti. Gjithsesi, humbja e kohës ka qenë e madhe, sepse ekipi ka 11 ditë që stërvitet në Gradec të Sllovenisë, e deri në ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës kanë mbetur më pak se 10 ditë. Nga ana tjetër, trajneri Mehmeti ka problemin që sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Cvetanovski, është i dëmtuar dhe nuk është stërvitur dot normalisht me skuadrën.

Cvetanovski, një nga lojtarët më të mirë të afruar këtë verë, është në dyshim për Partizanin për ndeshjen e 7 korrikut ndaj Saburtalos së Gjeorgjisë në Ligën e Europës. Gjithsesi, përgatitjet deri tani në Slloveni duken pozitive, me një fitore e një barazim në dy ndeshjet miqësore, e pritet edhe një tjetër test. Në ekip ka pasur shumë ndryshime, me largime të mëdha, ndërsa janë afruar portieri Rexhepi, mesfushorët Hoti, Romero e Telushi, mbrojtësi Atanaskoski, si dhe sulmuesi Cvetanovski. Nga Kukësi është huazuar mbrojtësi Ndreca ndërsa Herald Marku largohet nga të kuqtë dhe shkon tek Vllaznia.

Sfidanti.al