Do të donin të ishin aty. Grupi I tifozëve “Tirona Fanatics”, por edhe shumë përkrahës të tjerë bardheblu, mendojnë se ata duhet të jenë pranë “Selman Stërmasit”, sot në orën 17:00. Jo se luan Tirana, ndeshja e saj është në Laç, veçse arsyeja për ta është po aq e fortë. Stadiumi I është dhënë hua rivalit më të madh, Partizanit, që luan ndaj Vllaznisë.
Presidenti Halili e dha pa dëshirën e tyre, dhe përderisa shtëpia quhet e përbashkët, tifozët e quajnë shkelje. Prova e parë u bë dje, kur u tentua me kazma e lopata, dëmtimi I fushës. Policia ka marrë masa të forta për sot, ndaj duket e vështirë që Fanatiksat të arrijnë ta pengojnë ndeshjen e Superligës. Grupimi më spektakolar në Shqipëri ka pësuar vërtet një ndryshim të madh, që nga themelimi në 2006, apo që nga koha kur udhëtoi drejt Prishtinës për të festuar Pavarësinë e Kosovës. Sot, Partizani dhe tifozët e tij, mesa duket nuk quhen prej tyre shqiptarë aq të denjë.
Nuk dihet sesa e gjitha kjo mund të ndikojë në lojën e të kuqve. Janë të shumtë rastet kur një skuadër ka dështuar për shkak të presionit që ka rrethuar ndeshjen, më tipiku ai I kombëtares shqiptare, në sfidat në Europian ndaj Serbisë dhe në Botëror kundër Izraelit. Për të besuarit e Starovës duken pak larg ditët kur triumfonte brenda në Korçë 2-0. Humbja në Gjirokastër javën e kaluar, jo vetëm që e ka tronditur, por ka sjellë detyrimin që të mos bëjë më asnjë hap fals. Pikërisht nën këtë trysni, Partizani duhet ta luajë ndeshjen ndaj Vllaznisë në stadiumin e Tiranës, “Selman Stërmasi”.