Një nga futbollistët më të mirë të botës, Ronaldinjo, edhe zyrtarisht, u promovua mbrëmë, si ambassador i ekipit gjigant katalonjas, Barcelona, që ka një rëndësi të veçantë në etapën e dytë të karierës së këtij lojtari brazilian legjendar në “Kamp Nou”, pas asaj të suksesshme që ai pati si futbollist në këtë klub. Ky mjeshtër i madh brazilian tërhoqi një vëmendje të madhe, duke pranuar propozimin e ekipit kampion aktual spanjoll, ndërsa ai vuri në dukje se kjo punë për të do të jetë mjaft e dëshiruar dhe e lehtë, duke qenë se ku ka nder më të madh sesa të përfaqësosh Barcelonën në botë.
“Ishte bukur që u bashkova me njerëzit e Barcelonës në Nju Jork, ku filloi gjithçka që përfundoi sot”, tha Ronaldinjo, duke vazhduar më tej se “pak njerëz mund të thonë se kanë qenë ambasadorë të Barcelonës, kështu që nuk gjej dot fjalët e duhura që të shpreh mirënjohjen time të madhe. Për këtë arsye, unë solla me vete ‘Topin e artë’ timin dhe, tani, ai do të jetë pjesë e muzeut të klubit të Barcelonës”, vuri në dukje Ronaldinjo gjatë ceremonisë së prezantimit të tij, në të cilën ai nuk la që t’i shpëtoi rasti që t’i bënte komplimentin më të madh ish-bashkëlojtarit të vet dhe mikut të mirë, Lionel Mesi.
“Në futboll, gjithçka mund të ndryshojë, por vetëm një gjë te Mesi nuk do të mund të ndryshojë. Kjo është magjia e tij. Me të, në futboll, filloi një histori e re. Golin e tij të parë ai e shënoi pas një pasimi që i dhashë unë; pikërisht, atëkohë, filloi ngritja e kësaj ‘mostre’! Më duket sikur kjo ka ndodhur dje, por titujt e fituar tregojnë se kjo ka ndodhur para shumë vitesh. Mesi nuk ka nevojë për asnjë këshillë, pasi ai, thjesht, është një fenomen. Ai nuk ndryshon kurrë dhe kjo përbën forcën e tij”, tha Ronaldinjo.
Sfidanti.al