Partizani prezanton sot trajnerin e ri, kroatin Zoran Zekiç!

Epoka e Kolelës përfundoi pas vetëm një viti. Tek Partizani nuk deshën vazhdimësinë me trajnerin italian, ndërsa kjo fillim jave sipas të gjitha gjasave do t’i gjejë me një të ri. Në stol pritet të ulet kroati Zoran Zekiç, i cili ka gjetur dakordësinë me presidentin Gazmend Demi. Trajneri 49-vjeçar, me karrierë të gjatë si futbollist, ka punuar në profesion për gati 13 vjet, duke drejtuar ekipe si Sherifi i Tiraspolit në Moldavi, Osijeku në Kroaci, Dioshgjori në Hungari, dhe së fundmi Slaven Belupon sërish në Kroaci. Zekiç ishte në stolin e Slaven Belupos në dy sezonet e fundit, nga 2021 deri në 2023, duke zënë vendin e tetë këtë vit në Ligën e Parë kroate.

Mediat nga Zagrebi shkruajnë se ai deshi të merrte me vete në Shqipëri ndihmësin që pati tek Slaven Belupo, Zhelimir Meshnjakun, por ky e ka refuzuar ofertën për arsye familjare, e ndoshta do të kthehet të punojë në Akademinë e Slavenit. Partizani nuk ka shumë kohë për të humbur pasi do të nisë shpejt aventurën në Champions, pasi u shpall kampion i Shqipërisë për edicionin e kaluar. Zekiç duhet të bëjë ndryshimet e kërkuara prej tij në ekip dh eta bëjë gati për Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë javë tek të kuqtë pritet të vijë drejtori i ri teknik. Në vend të Elton Marinit me gjasë do të jetë ish-futbollisti vlonjat, Arbër Abilaliaj.

Sfidanti.al