Partizani më në fund ka lojë dhe fitore, ndaj Dinamos vendosi goli i Malës!

Një derbi “më pak shijues” sesa ai ndaj Tiranës, por sërish një derbi dhe ku kërkoheshin tri pikët. Partizani la pas krizën e krijuar nga humbja me Vllazninë (për shkak të diferencës me kreun), dhe fitorja 1-0 ndaj Dinamos i jep frymëmarrje dhe shpresë se do të jetë të paktën në kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Vendosi një gol i Esat Malës, njërit prej më të mirëve në fushë, ndonëse të kuqtë patën mundësi që të shënonin më shumë se kaq. Gjithsesi, edhe nga krahu tjetër, ekipi i trajnerit Ilir Daja pati një lojtar të shkëlqyer si portierin Teqja, i cili ka gjetur formën e tij të shkëlqyer që ka pasur që kur ishte në ekipet kombëtare të moshave. Dinamo, edhe pse u dominua me lojë, pati rastet e saj. Kjo fitore bëri që të kuqtë të kenë tani 18 pikë, 5 më shumë sesa blutë, me mbajti diferencën 5 pikëshe me vendin e tretë (Vllaznisë), si dhe është 6 pikë larg vendit të dytë (Kukësit). Tirana, për momentin nuk mund të diskutohet për t’u arritur. Presidenti Demi deklaroi pas ndeshjes se “nga Daja kërkoj lojë të mirë dhe fitore”. Një kërkesë maksimale! Nga ana tjetër, Bledi Shkëmbi ftoi presidencën e Dinamos që ose të forcojë skuadrën në janar, ose të largojë trajnerin.

Sfidanti.al