Ky është lajm, Grojter Fyrti arrin fitoren e parë shtëpiake në Bundesligë

U desh të kalonin gati 50 ndeshje, saktësisht 49, që kjo skuadër me bazë në Bavari të arrinte suksesin e parë në stadiumin e vet në elitën e futbollit gjerman. Grojter Fyrti triumfoi 1-0 në “Sportpark Ronhof” ndaj Unionit të Berlinit, ndërsa 23 ndeshjet e tjera në të kaluarën në shtëpi kishin përfunduar në vetëm 5 barazime dhe 18 humbje. Goli i norvegjezit Havald Nilsen në minutën e 55-të do të hyjë, pra, në histori, ndërsa ishte një mëkat që nuk pati asnjë tifoz në stadium për të festuar këtë fitore monumentale. “Një kompliment i madh për ekipin, – tha trajneri Stefan Lajtl, – ne kemi investuar shumë për këtë, ndonëse këtë herë patëm edhe fatin me vete. Gjithsesi, ne kemi vetëm 4 pikë në 15 ndeshje ndaj nuk mund të jemi euforikë”.

Grojter Fyrti po luan sezonin e dytë në Bundesligë, pas atij 2012-2013, kur pati 4 barazime e 13 humbje në shtëpi. Në atë kohë ishte shumë më mirë jashtë fushe me 4 fitore, 1-0 në Mainc, 2-1 në stadiumin e Shalkes, 1-0 në Nyremberg dhe 2-0 në fushën e Shtutgartit. Këtë sezon, Fyrti është në pozita shumë të vështira duke pasur vetëm 4 pikë, e duke qenë plot 12 pikë larg vendit të tretë nga fundi që të paktën të siguron një plej of për të qendruar në Bundesligë.

Sfidanti.al