Një humbje që mund ta nxjerrë plotësisht jashtë objektivave.
Partizani hyri në krizë të plotë me disfatën e pësuar në fushën e Kamzës, në atë që mund të quhet derbi i Superligës, në mungesë të Tiranës dhe Dinamos.
Skuadra kryeqytetase pati dështimin e dytë radhazi, pas golit të Sebino Plakut shtatë minuta para fundit, dhe tani ka më shumë humbje në tabelë sesa fitore.
Me vetëm 11 pikë, Partizani i Iulianos është tepër larg vendit të parë të Skënderbeut, ndërsa rrezikon seriozisht kualifikimin e mundshëm për në Ligën e Europës.
Kjo, pasi edhe Kukësi, Flamurtari dhe tani Kamza, kanë më shumë pikë sesa të kuqtë.
Skuadra e Iulianos u përpoq shumë, por nuk ishte aspak e qartë, duke krijuar shumë pak raste për shënim.
Në të kundërt, u rrezikua disa herë nga Kamza, e cila përdori lojën e kundërsulmit.
Projekti italian i Partizanit, deri tani është një dështim i madh, dhe duket pa fund, me vetëm 5 gola të shënuar në 8 ndeshje.
Askush nuk e mendonte këtë pozicion të ekipit në këto momente, ndërsa në këtë sezon, mund të rrezikohet edhe qendrimi në Superligë, për shkak të dobësisë së treguar, dhe sfidës nga ana e Teutës, Vllaznisë dhe Luftëtarit.