Superkupa iku e shkoi dhe hareja duhej të kishte zgjatur diçka më pak tek fituesit. Partizani doli për herë të dytë në pak ditë në fushën e “Elbasan Arenës”, duke pasur përballë sërish Kukësin, tashmë në ndeshjen e parë të kampionatit, dhe kuptoi se nuk do ta ketë të lehtë për të mbrojtur titullin. U mund nga nënkampionët dhe nga ata që shihen si rivalët kryesorë të kampionëve (të shohim si do të jetë Tirana), të cilët bënë gjoja sikur luajtën në fushën e tyre, për t’u gjendur përsëri në Elbasan.
Kur një ekip mund kundërshtarin kryesor duke luajtur në fushë asnjanëse, kjo është shenjë se ai e ka seriozisht me pretendimet për trofeun. Kjo duhet thënë për kuksianët, që u drejtuan nga Shpëtim Duro, partizanas 24-karatësh, por që profesioni “me valixhe” në dorë, e ka bërë që të falë besnikërinë aty ku punon. Ndryshe nga Superkupa, Kukësi e nisi ndeshjen mirë, duke përballuar Partizanin në fushë të hapur e duke e mbyllur në avantazh pjesën e parë.
E pati më të vështirë pas pushimit, duke u ndërruar rolet në krahasim me finalen, por ia doli ndihmuar edhe nga shtylla. Vendosi goli i Shkurtajt, ndërsa të kuqtë e patën në tribunë një nga lojtarët kryesorë, Jasir Asanin, që duket se do të transferohet jashtë vendit. Trajneri i kryeqytetasve, Franko Lerda, pranoi gabimet e ekipit të tij, ndërsa “gjaku i kuq” Duro deklaroi se kundërshtari rrezikoi vetëm një herë. Madje, kërkoi përforcime, për të marrë përgjigjen e presidentit Gjici se “ekipi është i plotë dhe pretendimet janë maksimale”.
Sfidanti.al