Nuk mjafton veç bukuria, Longo ka se çfarë të mësojë nga shqiptari Josa

Kukësi është cilësuar këto kohë si skuadra me futbollin më të bukur në Shqipëri. Me të drejtë, pasi ekipi i trajnerit Diego Longo ka bërë për vete shumicën e tifozëve dhe të specialistëve me mënyrën sesi ka luajtur në fushë. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, presidenti (i nderit, hahaha) Safet Gjici duhet të ndihet krenar dhe i kënaqur. Gjithsesi, në sport vlejnë edhe rezultatet, madje ato janë kryesoret për trofeun dhe ja që italiani Longo kuptoi se ka çfarë të mësojë nga trajnerët shqiptarë.

Përballë tij këtë herë ishte Laçi i Mirel Josës, një njeriu që ka në trajning të paktën që nga viti 2002. Kurbinasit fituan 2-1 edhe pse përfituan nga gabimet e kuksianëve, duke bërë që ekipi verior të mbetet sërish 4 pikë prapa Tiranës. Jo më kot thuhet “guri i rëndë në vend të vet”, dhe kjo jo për ta dëbuar Longon, por për të thënë se “çdo fshat ka një zanat”, pra ai duhet ende të mësojë sesi funksionon në Shqipëri. Nëse Kukësi dhe Gjici do të kenë durim, sezonin e ardhshëm Longo mund të ketë një ekip vërtet për titull. Sepse siç thotë vetë italiani, “sa vlejnë 3 lojtarë të Tiranës, vlen e gjithë skuadra e Kukësit”.

Sfidanti.al