Ja çfarë thotë Verstapeni: As nuk mendoj për përplasjen!

Është folur shumë këto ditë për një skenar “asgjësues” në garën e fundit të sezonit. Formula 1 përfundon të dielën për vitin 2021, në Çmimin e Madh të Abu Dabit në pistën Jas Marina, dhe në Gjirin Persik pritet një luftë e ashpër. Maks Verstapen dhe Ljuis Hamilton janë me pikë të barabarta, por holandezi i Red Bullit kryeson sepse ka 9 fitore ndaj 8 të anglezit të Mercedesit. Nëse do të përplaseshin dhe do të dilnin nga gara, Verstapen mund të fitonte titullin, por vetë “i zoti i punës” flet ndryshe. “Nuk po mendoj për këtë, – tha ai, në konferencën për shtyp ku ishte krah për krah me Hamiltonin dhe me trofeun në mes, – mediat flasin për këto gjëra, por unë dua thjesht që të përgatitem siç duhet. Unë e di kodin sportiv, nuk ka nevojë të ma kujtojë kush. Nuk ndryshon asgjë në këtë fundjavë”.

Sfidanti.al