Një gol “alla Muça” në portën e FSHF-së! Edhe me Izraelin e dëgjuat?

Shkëlqim Muça edhe kur ishte në fushë kishte një merak që ndryshonte nga futbollistët e brezit të tij: do të linte gjurmë në fushë me diçka speciale.  Edhe kur nuk shënonte gol, një gjest i tij do të zinte vend në inventarin e ndeshjes. Edhe sot, shumë vite kur nuk lëshon më hijen e tij të spikatur në fushë, ndersa komenton ndeshjet, përsëri, ka një sens protagonizmi atipik. Atë ditë me Izraelin, ndërsa komentonte ndeshjen për TVSH, Muça ka thënë disa fjalë që nuk harron: “ Kjo ndeshje po më duket shumë e çuditshme. Sigurisht, me këto që po shoh, kjo nuk është një ngjarje normale”.

Por, ora punon për drejtuesit e futbollit kur shikon se në “derbin” midis kujtesës dhe harresës, fiton kjo e fundit dhe fraza e Muçës nuk pati rezonancën e merituar. Ish-futbollisti që luante me kokën lart dhe me trupin si bust, edhe në rastin e misterit të Derbit, ka diçka speciale: “  Tirana nuk ka faj për dritat sepse ka marrë aprovimin për të luajtur, por fajin e ka Federata. UEFA gjithnjë na ka kërkuar linjë alternative për ndriçimin, pastaj edhe gjenerator rezervë”.  Muça jep një asist kur thotë se “ Ju kujtohet fikja e dritave të Qemal Stafës me Realin e Madridit? Atëherë, u  bë viktimë drejtori i stadiumit”. Kësaj radhe nuk pritet ndonjë kokë, sidomos kur për gafën më të madhe të sezonit, kur 9000 banorët e derbit iu dorëzuan errësirës, ka meritën e saj edhe FSHF që krenohet me stadiumet “ ndër më të mirët në Ballkan, por me pak para”.

Sfidanti.al