E shtuna shqiptare, gola nga Hyka, Sadiku dhe Çekiçi

Një e shtunë vërtet shqiptare në disa nga kampionatet në Europë. Në Zvicër pati festë kuqezi në Superligë dhe në Challenge League (kategoria e dytë). Jahmir Hyka më në fund fitoi ndaj vetvetes, duke qenë më i miri në fushë në fitoren 3-0 të Lucernës ndaj Vaducit në Superligë. Talenti tiranas realizoi dy herë, golin e dytë dhe të tretë, në suksesin e gjashtë radhazi të Lucernës, që u ngjit në kuotën e 29 pikëve, dhe në vendin e tretë në renditje, pretendente për të shkuar në Ligën e Europës.
Po në Zvicër shënon Armando Sadiku. Zyrihu, kryesues i paprekshëm i kategorisë së dytë, mundi 2-0 Vilin, dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi golin e parë. Përshtypjet janë shumë të mira pasi djaloshi nga Cërriku la pas dëmtimin jo edhe aq të lehtë, dhe përfundoi riaftësimin me sukses.
Në Kroaci, autor rrjete është Endri Çekiçi. i huazuar nga Dinamo e Zagrebit, tek Lokomotiva po në kryeqytet, ai kaloi ekipin e tij në epërsi në fushën e Cibaljes në Ligën e Parë të Kroacisë. Suksesi ishte 4-1 dhe për Lokomotivën luajtën titullarë Çekiçi dhe Amir Rrahmani, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizua Eros Grezda. Për Çekiçin ishte goli i dytë sezonal në kampionat.