Ishte padyshim “bomba” e janarit. Transferimi i Xhuliano Skukës pritej dhe dihej se duhej të ishte i rëndësishëm, por ndoshta jo për kaq sa po thuhet. Burime në klubin e kuq pohojnë se shifra e kalimit të sulmuesit të Partizanit tek Metci në kategorinë e dytë në Francë arrin në 1.4 milionë euro, ndonëse nuk dihet sesa nga kjo është e garantuar dhe sesa e parashikuar me klauzola të ndryshme. Gjithsesi, flitet për rekordin e futbollit shqiptar, që kalon atë të vendosur nga Skënderbeu kur transferoi sulmuesin Peter Olajinka te Genti në Belgjikë për 1.1 milionë euro. Jo vetëm kaq, por dy klubet e kryeqytetit kanë pasur të ardhura të rëndësishme muajt e fundit dhe për katër lëvizje është arritur në rreth 2.5 milionë euro.
Partizani transferoi edhe kapitenin Enea Bitri tek Banik i Ostravës për rreth 150 000 euro. Tirana, ndërkaq, kaloi Redon Xhixhën te Karabaku në Azerbajxhan, ekipi ku dikur ka luajtur Ansi Agolli. Për Xhixhën, bardheblutë mësohet se kanë marrë 550 000 euro, ndërsa në verë morën 400 000 euro nga kartoni i Taulant Seferit. Interesant fakti se Tirana pretendonte më shumë për Seferin, por e penalizoi rroga e tij tek Vorskla në Ukrainë, që arrin në mbi 180 000 euro në sezon.
Sfidanti.al