Nuk ishte Blendi Shkëmbi në “Uembli” ndaj Anglisë, por i riu Simoni përballë Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Përfundoi 0-0 ndeshja e Superligës mes Dinamos dhe shkodranëve, ndonëse këta të fundit bënë presion në pjesën e dytë dhe iu afruan disa herë golit. Portieri Simoni, vetëm 17 vjeç, bëri disa pritje të shkëlqyera, po ashtu disa dalje të sigurta për të zotëruar topin e për të mos lejuar rreziqe në zonën e tij. Dinamo nuk bëri ndonjë gjë të madhe, përveç ndonjë momenti të mirë në pjesën e parë, por as shkodranët nuk mund të mburren. “Lojtarëve u thashë se kanë bërë një ndeshje të dobët, – pranoi trajneri Tomas Brdariç pas sfidës, – më keq se kaq nuk mund të luanim”. Kështu, shkodranët ndalen në momentin më të mirë, kur po i afroheshin Tiranës, duke mbetur 3 pikë prapa kryeqytetasve, me një ndeshje më shumë të luajtur.
Java 14: Sot, Dinamo-Vllaznia 0-0; Nesër, 16:45: Skënderbeu-Kastrioti; Të dielën: Egnatia-Laçi 13:45, Kukësi-Partizani 16:45, Tirana-Teuta 19:45. Renditja: Tirana 27 pikë, Kukësi e Vllaznia nga 24, Laçi 21, Partizani e Teuta nga 18, Dinamo 14, Skënderbeu dhe Egnatia nga 11, Kastrioti 8.
Sfidanti.al