Natyrisht, që një trajner duhet të mendojë për gjithë skuadrën, dhe jo vetëm për një lojtar, cilido qoftë ky. Është e qartë se Edi Reja ka një përvojë tepër të gjatë në stol, dhe ka drejtuar futbollistë mjaft të mirë, veçse duket se në rastin e Armando Brojës sikur e ka humbur qetësinë. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë italiani thekson anët negative të sulmuesit të Sauthemptonit, duke deklaruar se “nuk punon për grupin”, “nuk sillet mirë”, “problem me dëmtimet”, a thua se vetëm kjo është karakteristika e futbollistit 20-vjeçar. Këto fjalë që Reja i tha pas shortit duken pak a shumë si karakteristikat që i bëheshin dikur njerëzve në zyrat e kuadrit për t’i sulmuar më lehtë më pas.
Edhe pse Broja mund të ketë bërë gabime, mund të ketë pasur një moment apo më shumë negativë, mund të ketë pretenduar ndoshta në mënyrë që e vendos trajnerin dhe shokët në pozitë të vështirë, i takon vetë trajnerit që të gjejë një zgjidhje ku “edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Ndoshta, 76-vjeçari mund të bëjë ndonjë bisedë telefonike me trajnerin e Sauthemptonit, Ralf Hazenhytl, i cili e njeh më mirë Brojën sepse punon çdo ditë me të, dhe tashmë e ka bërë lojtar formacioni. Mos vallë, kombëtarja e Shqipërisë ka nivel më të lartë sesa ekipi i Premier Ligës angleze, të cilit nuk i prishkan shumë punë të metat e sulmuesit, aq sa e aktivizohn tashmë titullar? Kështu si po shkojnë punët, nuk do të ishte çudi që lojtari të mërzitet dhe ndonjë ditë të mos ia hapë telefonin trajnerit, pra edhe kombëtares.
Sfidanti.al