Skandali i trukimeve, duket se ka turbulluar edhe logjikën e drejtuesve të klubit Skënderbeu. Gazetarët tashmë po trajtohen si armiq që duhet të ndëshkohen, kur në fakt nuk kanë asnjë ndikim në dënimin e klubit korçar, apo tek një dënim tjetër i mundshëm që mund të marrë më pas. Pikërisht për hir të përkthimit në shqip, për publikun vendas, atë çka UEFA e kishte shpërndarë në original, në ndeshjeshen e djeshme Skënderbeu – Tirana, klubi gjashtë herë kampion i vendit kishte shitur edhe vendet e rezervuara për njerëzit e shtypit.
Pra 16 ndenjëset ku ishin ulur gazetarët, erdhën tifozë me bileta 15 mijë lekëshe në dorë dhe i lanë të shkruanin, apo të raportonin në këmbë, për mediat që përfaqësonin. Ndërkohë që në tribunën qendrore kishte shumë vende të lira, të cilët nuk u mbushën asnjëherë gjatë takimit. Dhe në këtë ambjent brutal mund të të ndodh gjithçka, madje të të fyejnë edhe në këtë mënyrë dhe nuk ke ku të ankohesh. Në prag të një ndeshje ndërkombëtare, një pikë e rëndësishme e inspektimit të të dërguarve të UEFA-s është sektori i gazetarëve, ku përfshihet akomodimi dhe kushtet normale të punës së tyre, në të kundërt stadium nuk liçensohet. Sidoqoftë, ky duket të jetë një mesazh, se nëse vazhdohet me historinë e trukimeve, ka gjasa që në ndeshjen tjetër, gazetarët të mos lejohen fare të hyjnë në stadium.