Natyrisht nuk është faji i këtij stadiumi, dhe as i tifozëve që duan të jenë në të. Gjithsesi, stadiumi i Kukësit, në rindërtim e sipër, pritet të marrë “pjesën e luanit” nga fondi që UEFA-s i jep futbollit shqiptar për të përballuar krizën e koronavirusit. Në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë pohuar se 3.25 milionë euro, nga fondi total prej 4.3 milionë eurove, do të përdoren si investim në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit. Kjo, e thënë nga vetë presidenti Duka, dhe kaq mjafton. Do të thotë, më se shumë se ¾ e gjithë financimit të UEFA-s.
Klubi i Partizanit, por edhe klube të tjerë të Superligës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me këtë ndarje preferenciale. Ata gjykojnë se në këtë periudhë krize të rëndë financiare për shkak të epidemisë, fondet duhej të ishin përdorur për të ndihmuar klubet, në pagesën e rrogave, të udhëtimeve, qirave për stadiume e stërvitje, qendrim në hotele, dhe për punonjësit e sigurisë.
Edhe UEFA, në udhëzimin e saj dhënë për federatat anëtare, e ka theksuar qartë se u lë dorë të lirë atyre për t’i përdorur fondet sipas atyre që i konsiderojnë prioritete. Kjo, duke pasur parasysh situatën e paprecedentë të krijuar nga koronavirusi, siç theksoi edhe presidenti i UEFA-s, Çeferin.
Shumica e klubeve të Superligës nuk kanë dëshirë që kampionati të rifillojë pikërisht për shkak të kostove të larta, ndërsa është e qartë se në një gjendje të tillë nuk do të ketë fitime, as nga biletat dhe as nga sponsorët. Përsa i përket stadiumit të Kukësit, burimë në Federatë kanë pohuar më herët për televizionin se investimi në të është kërkuar nga qeveria shqiptare në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet vendose, dhe se deri tani janë shpenzuar 4 miliardë lekë të vjetër.
Sfidanti.al