Mentor Mazrekaj u kthye në një mollë sherri midis tifozerisë së Partizanit dhe trajnerit Sormani. Tekniku italian, jo vetëm që nuk kishte ndërmend ta aktivizonte, por as që e donte në stërvitje me grupin. Ndërsa me t’u kthyer në pankinë, të parën gjë që ndryshoi Starova ishte rehabilitimi i Mazrekajt. Mesfushori nga Prishtina pati pak minuta në kampionat, ndërsa në ndeshjen e kupës së Shqipërisë ndaj Besëlidhjes ishte në formacionin titullar.
Mazrekaj nuk mundi të kthehej si në kohët e vjetra, megjithëse në të 6’ drejtuesit e stolit i dhanë shansit të shënonte nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar nga skuadra e kuqe. Më pas, i gjithë takimi nuk vajti sipas parashikimeve, ndërsa në ditët në vazhdim, “mentori” i tifozëve u kthye sërish në ditët e Sormanit… dhe kjo jo për faj të Starovës. Mazrekaj ka pësuar një tjetër dëmtim dhe në ditët e përgatitjeve për ndeshjen ndaj Skënderbeut është stërvitur sërish veç grupit, pra nuk do të jetë i gatshëm për të djelën. Lajmi i mirë për Partizanin është rikuperimi i plotë i mbrojtësit të qendrës, Gëzim Krasniqi.