“Loro Boriçi”, dheu i zi për të zezën tonë

Dhjetra metra kub përzierie dheu me farë bari ka mbuluar tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, duke ia kthyer ngjyrën në një të zezë të frikshme. Ishin spanjolët, të cilët e cilësuan fushën e stadiumit më të ri të Shqipërisë si të papërshtatshme, më pas FSHF që menaxhon impiantin ka urdhëruar mbylljen, për hir të një rikonstruktimi të pjesës më të rëndësishme të tij, pikërisht fushës që ka kushtuar 150 mijë euro. Dhe për ironi, mbi atë tapet janë zhvilluar vetëm pesë ndeshje që nga dita e ingurimit, duke përfshirë edhe ndonjë seancë stërvitore të ekipeve përfaqësuese. Ndërkohë që konfirmohet, se ambjentet e kateringut dhe sektori VIP nuk kanë lëvizur, pra në këto sektorë punimet kanë qenë shumë më cilësore.