Në vitet 60-të, Benfika e Lisbonës shkarkonte një trajner të shquar si Bela Gutman, njeriun që e udhëhoqi drejt dy kupave të kampionëve të fituar (Championsi i sotëm). Hungarezi i famshëm paralajmëroi se “mallkimi im do t’iu zërë dhe nuk do të fitoni më kupën e kampionëve”. Kanë kaluar gati 60 vjet dhe Benfika ka humbur kaq shumë finale europiane sa nuk ta pret mendja!
Sot Tirana shkarkoi Emanuel Egbonë, njeriun që e udhëhoqi drejt titullit kampion pas 11 vjetësh, me të cilin u kualifikua në turin e parë eleminator në Champions dhe thuajse eleminoi Crvena Zvezdën (që sot është në vend të dytë në grup në Champions e mund ekipe çeke nga 5-1)! Cili ishte faji i Egbosë? Që humbi me Teutën në Superligë, dhe që u eleminua nga Kupa e Shqipërisë për shkak të Korabit, sepse luajti me formacionin e dytë!
Nuk po shkoj sërish tek Sër Aleks Fergusoni sepse atë e kemi bërë “telef” duke e marrë si shembull, por po shkoj tek Borusia e Dortmundit e Jurgen Klopit në 2011-2012. Dortmundi doli kampion në 2011, por sezonin pasardhës humbi finalen e Superkupës së Gjermanisë ndaj Shalkes, ndërsa në Bundesligë ishte në vendin e 11-të pas javës së 6-të, me 2 fitore, 1 barazim e 3 humbje. Jo vetëm kaq, por në Champions mori vetëm 1 pikë në 3 ndeshje në grup dhe u eleminua.
Klubi, ndryshe nga Tirana sot, nuk shkarkoi Klopin, dhe Borusia e mbylli sezonin sërish kampione e Gjermanisë, fitoi Kupën e Gjermanisë duke mundur 5-2 Bajernin në finale, ndërsa hakun në Champions e mori sezonin pasardhës duke dalë deri në finale! Ky quhet klub që e di se trajneri nuk ka “shkop magjik”, dhe se krijimi i skuadrës do kohën e vet, se ekipet kanë ulje-ngritje gjatë sezonit dhe se bilancet bëhen në fund!
Në klubet shqiptarë nuk gjejnë dot agronomë për të qenë për fushat e stadiumeve, nuk heqin dot vitaminën “mik” dhe korrupsionin, ndërsa kërkojnë që trajnerët të kenë rezultatet e Murinjos dhe të Klopit!
Sfidanti.al