Talenti i Sporting Lisbonë dhe një prej lojtarëve më premtues në futbollin Evropian, Bruno Tavares përfshihet në një incident të rrezikshëm për jetën e tij. Sipas tabloidit britanik ‘The Sun’, futbollisti 18 vjecar është qëlluar me armë zjarri në gjoks duke rrezikuar vdekjen. Mësohet se Bruno Tavares ishte viktimë e një incidenti në një stacion karburanti ku u ndodh me një grup miqsh të tij. Sipas medias portugeze, Tavares u qëllua aksidentalisht me armë zjarri në gjoks, pikërisht nga një prej personave që ishin me të.
Adoleshenti u dërgua menjëherë në spitalin Garcia de Orta të Lisbonës dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente që për fat të mirë ia shpëtoi jetën. Tashmë futbollisti ka dalë nga spitali dhe po kryen fazën e riaftësimit në shtëpi. Policia bën të ditur se ka nisur hetimet për të kuptuar më mirë dinamikën e asaj që ndodhi sepse sipas ‘The Sun’ ai që qëlloi Tavarez u largua menjëherë. Ndërkaq edhe vetë Sporting Lisbonë mund të mendojë të ndëshkojë lojtarin e tij në momentin që Tavarez do të jetë sërish në formë.
Sfidanti.al