Laçi i Stavri Nicës turpëron Partizanin italian brenda në Tiranë!

Kohët e bukura u lanë pas. Ishte një kënaqësi të shikojë prezantimet dhe konferencat të një Partizani në versionin më italian të mundshëm, por nuk ishte aspak kështu e parë në fushën e lojës. Emri sugjestionues i Luçiano Moxhit në regji, dhe ai i ish-juventinit Mark Iuliano në stol, u zhvleftësuan të paktën për një mbrëmje nga një trajner thuajse fare mediatik shqiptar, Stavri Nica.

Fitore krejt e pabesueshme, por tërësisht e merituar 2-0 e kurbinasve, madje në mes të kryeqytetit, në shtëpinë e të kuqve. Një ekip i supozuar si pa shpresë përpara Partizanit, pa shpenzimet dhe krejt provincial shqiptar përballë globalizmit të rivalit, bëri çfarë deshi në stadiumin “Selman Stërmasi”, sidomos në pjesën e dytë. Besohet se Nica, përkundër thjeshtësisë dhe natyrës së tërhequr, ka ditur të bëhet një profesionist i vërtetë i trajningut, aty ku Iuliano, megjithë emrin e madh, është ende një fillestar.

Kallaku kaloi në epërsi kurbinasit në pjesën e dytë, pas gabimit të portierit Xhika, ndërsa Eskerda dyfishoi rezultatin. Partizani u përpoq dhe rrezikoi disa herë me Sukajn dhe hungarezin Adorjan, por ishte larg së qeni një skuadër. Ndoshta koha do ta ndihmojë, por në një kampionat ku Skënderbeu e Kukësi vështirë të gabojnë lehtë, dështime të tilla nuk mund të kalojnë pa pasoja. Tifozët u larguan ende pa mbaruar ndeshja, duke kujtuar se ekipi i tyre do ta ketë të vështirë, edhe 24 vjet pas titullit të fundit.

Sfidanti.al