Partizani bëri “hara-kiri” sot ndaj Laçit në “Selman Stërmasi” dhe barazimi 0-0 duket se ia hoqi titullin nga duart për të 24 vit radhazi. Pavarësisht faktit se ka luajtur ndoshta futbollin më të mirë në pjesën më të madhe të sezonit, të kuqtë po paguajnë mungesën e stabilitetit në lojë dhe rezultate, duke mbetur tani në vendin e tretë, pas Kukësit e Skënderbeut.
Barazimi i fundjavës së kaluar ndaj Kukësit duket se ia kishte prerë shpresat Partizanit, diçka që e theksoi pas takimit edhe trajneri i laçianëve, Stavri Nica. “Partizanin nuk e pashë shumë agresiv, – tha ai, – nuk e di arsyen, ndoshta nuk pati më shpresë. Megjithatë ishte në favorit tonë edhe fati. Është edhe Shansi ynë kur e i gjen në një ditë të tillë, kur nuk kanë shumë shpresa”.
Sulejman Starova nuk doli të fliste për mediat pas këtij zhgënjimi të madh. “Sulejmani i Madh”, siç e quan me respekt presidenti Gazmen Demi, e pati të pamundur të mblidhte veten dhe të bënte deklarata pas një përfundimi kaq të hidhur sa ky. Në vend të Starovës, këtë detyrë e mori përsipër ndihmësi i tij, Klevis Dalipi. Elbasanasi theksoi mungesën e fatit që e dënoi ekipin e tij, duke veçuar shtyllën e goditur nga Batha në minutën e 96-të.
Pas 33 javësh, Partizani ka 67 pikë, ndaj 69 të Kukësit dhe 68 të Skënderbeut, dhe mund të dalë kampion vetëm nëse dy ekipet e vendeve të para gabojnë. Ka edhe një shpresë, sidomos në rast humbjeje të Kukësit me Skënderbeun në javën e parafundit dhe nëse Partizani fiton ndeshjen direkte në Korçë me kampionët.
Sfidanti.al