Përgjimi i Çaushit dhe përgjimi i politikës, drejtësia në mes!

Videoja me bisedën e dyshuar si tentativë trukimi nga ana e Kukësit për ndeshjen ndaj Partizanit, është dërguar nëpër media besohet pikërisht nga klubi i kuq, ashtu si videoja e Metës u dërgua po në “Fiks Fare” nga i interesuari i atëhershëm, kryetari i opozitës në atë kohë, Edi Rama, sot kryeministër.

Partizani ka deklaruar se do të ndiqen rrugë ligjore, ndërsa burime pranë klubin kanë deklaruar në anonimitet se fillimisht, të kuqtë nuk donin që videoja të bëhej publike. Dukej, donin ta përdornin si presion ndaj Gjicit, i cili ka vënë edhe kandidaturën për deputet të Partisë Socialiste në pushtet, duke qenë i dyti në listë në Qarkun e Kukësit. Mesa kuptohet, presioni ka dështuar dhe videoja u transmetua nga mediat.

Tani pritet të shihet se çfarë do të bëjë prokuroria, dhe nëse do të ketë gjyq, çfarë vendimi do të merret. A do të arrihet në ndëshkim për Kukësin, nëse arrihet të bëhet lidhja e fjalëve të Çaushit me nxitjen e mundshme të presidentit kuksian? Nëse po, si do të jetë reagimi i klubeve të tjerë, sidomos duke pasur parasysh se për Skënderbeun është “varur” një çështje për dyshime trukimesh në futbollin shqiptar. Kohët janë shumë të ndërlikuara, por Shqipëria ka treguar se të akuzuarit jo vetëm fitojnë imunitet nga akuzat, por edhe ngjiten në karrierë.

Sfidanti.al