Kur Tirana mund 4-0 Kukësin, do të thotë se ceremonia e titullit mund të nisë!

Përpara ndeshjes, trajneri i kuksianëve, Diego Longo, sikur e ndjente rrezikun dhe jo më kot u shpreh se “vërtet presidenti ynë (harroi të thoshte i nderit) kërkon fitore dhe titull, por sa tituj ka Tirana dhe sa ka Kukësi?” E vërteta është që një teknik nuk mund të flasë kështu në prag të një sfide direkte dhe ndoshta kjo i bëri më keq veriorëve që pësuan një nga humbjet më të rënda në historinë e tyre (jo edhe aq të gjatë) në Superligë. Përfundoi 4-0 për bardheblutë dhe Tirana u shkëput në krye, kurse Kukësi pësoi një ndalesë të fortë. Skuadra e trajnerit Orges Shehi ka tani 40 pikë ndaj 31 të kuksianëve, dhe vetëm Laçi mund të pretendojë të afrohet të paktën në 6 pikë. Me gjasë duhet thënë se tek Tirana kanë nisur të hapin shampanjën e të përgatisin ceremoninë e titullit të 26-të, edhe pse nuk dihet se çfarë mendojnë “të plotfuqishmit”. Në një vend ku vendet në kampionat shpesh ndahen si “peshqeshe” mund të ndodhin përmbysje si ato të mëdhatë në Kupën e Anglisë apo në Kupën e Gjermanisë, edhe pse mund të mos kenë lidhje aspak me atë që ndodh realisht në fushë.

Sfidanti.al