Kukësi i falet “sulmit atomik”, Abazaj e Shkurtaj kalojnë Laçin dhe rikapin kreun e Superligës!

Mund të thuhet se po nis shkëputja. U desh të realizohej me përmbysje, por gjithsesi Kukësi e arriti fitoren që e kishte të domosdoshme për t’u kthyer në krye të Superligës. Përfundoi 3-1 për ekipin e Shpëtim Duros, dueli verior ndaj Laçit luajtur në “Elbasan Arena”, por kjo pasi kurbinasit kaluan të parët në avantazh. Fitorja bëri që kuksianët të mbanin vendin e parë në renditje, që përkohësisht e kishte zënë Tirana pas fitores në Shkodër.

Nuk ishte aspak e lehtë të kaloheshin laçianët e trajnerit Armando Cungu. Ata jo vetëm shënuan për 1-0 me anë të sulmuesit kryesor, Nuabueze, por edhe rrezikuan disa herë. Jo vetëm kaq, por patën pretendime për gjykimin të paktën në ndonjë rast pozicioni jashtë loje. Gjithsesi, Kukësi i Duros u tregua në nivelin që kërkohej prej tij.

Barazoi shpejt me anë të Kristal Abazajt, dhe pas pushimit shënoi edhe dy gola të tjerë, me autor sulmuesin kryesor Shkurtaj, si dhe me Etemin. Fitoret radhazi vazhdojnë, ndoshta jo aq shumë sa Tirana, por veriorët bindin si kandidatë kryesorë për titull. Kukësi ka 41 pikë ndaj 32 të Laçit, ndërsa po ashtu Bylisi mbeti prapa, në kuotën e 32 pikëve, pas barazimit 1-1 në Korçë ndaj Skënderbeut.

Sfidanti.al