Lilardi nuk di të ndalet, por Portlendi u ndal nga Juta Xhazi!

Ishte sërish i papërballueshëm dhe luajti një ndeshje të madhe, edhe pse me përfundim të keq. Damian Lilard është “furia e natyrës” në NBA këto javë, më shumë edhe se Hardën, Lebroni apo Antetokumbo, duke arritur sërish një shifër të madhe pikësh. Shënoi plot 42 në duelin e Portlendit në fushën e Juta Xhazit, por për fat të keq në sekondat e fundit erdhi humbja. Një kujtesë se Portlendi i këtij sezoni nuk është ai i viteve të kaluara, pavarësisht yllit kryesor.

Përveç 42 pikëve, Lilardi pati 6 topa në tabela, 6 asistë, 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, por shokët nuk ishin në lartësinë e duhur. Vetëm SiXhej Mekkallëm u dallua me 27 pikë, 5 topa në tabela e 3 asistë, e deri diku Geri Trent Xhunior dhe kroati Mario Hezonja. Lilardi po i afrohet kryesimit të Xhejms Hardenit, duke pasur gjithsej 1479 pikë ndaj 1698 të “Mjekrës”, dhe 196 kosha tripikësh ndaj 220.

Juta Xhazi i dha fund serisë prej 5 humbjeve radhazi, me shifrat 117-114 falë edhe koshit në sekondat e fundit të Donovan Miçëllit. Bojan Bogdanoviç ishte më i miri i vendasve me 27 pikë. Juta është në vendin e katërt në NBA, me 33 fitore e 18 humbje, ndërsa Portlendi është jashtë zonës së plej ofit me 24 fitore e 29 humbje, në vendin e 9-të.

Sfidanti.al