Kompleksi është gati, por Partizani e mban si “lule mos prek”!

Nuk kuptohet përse e bën këtë gjë, ndoshta ka ndonjë bestytni. Klubi kryeqytetas ka një lajm të madh për tifozët, por edhe për mediat e për gjithë futbollin shqiptar, pra që ka hyrë në “shtëpinë e re”, në kompleksin e ri sportiv në periferi të Tiranës, veçse këtë festë ka dashur ta bëjë krejt “privatisht”, krejt “vetëm”. Jo vetëm që mediat nuk u lejuan të shkonin me kamera në këtë ditë vërtet të shënuar (me përjashtim të ndonjë fotografi apo gazetari të shtypit të shkruar), por as një përfaqësi e tifozëve nuk u thirr që të ishte e pranishme. Në klub të thonë se ende kompleksi nuk është gati, se nuk kanë përfunduar punimet, aty-këtu ka baltë apo diçka jo aq të hijshme, dhe se thjesht u vendos që skuadra e parë të stërvitej aty në të mirë të punës. Gjithsesi, për tifozët dhe për mediat nuk prish asnjë punë balta që ende ka mbetur në kompleksin e kuq, pasi kur një skuadër, aq më tepër Partizani, bëhet me “shtëpi”, atëherë “balta është më e ëmbël se mjalta”. Por, duket se tek Partizani nuk i kanë shumë qejf “miqtë” në shtëpi!

Sfidanti.al