Prova e dytë doli dështim, ndonëse relativ. Partizani u mposht nga Ternana, skuadër e Serisë B italiane, por rezultati 1-3 nuk është se e shqetësoi edhe aq shumë trajnerin Mark Juliano. Diferenca mes dy skuadrave ishte e dukshme, edhe për shkak të faktit se Seria B fillon fundjavën e ardhshme, ndërsa Superliga shqiptare vetëm në 9 shtator.
Miqësorja në stadiumin e Ternanës u dominua nga vendasit, të cilët arritën deri në epërsinë 3-0, por edhe Partizani u përpoq të sulmonte, edhe pse nuk kishte as nivelin fizik dhe as atë taktik për të qenë i barabartë. Gjithsesi, ekipi shqiptar rezistoi më mirë në pjesën e parë, aq sa ia lejoi përgatitja fizike, duke pësuar vetëm një gol.
Fillimi i pjesës së dytë ishte plotësisht në favor të Ternanës që e shfrytëzoi epërsinë duke shënuar edhe dy gola deri në minutën e 55-të, njëri prej të cilëve autogol i Ibrahimit. Më pas, logjikshëm, italianët nuk këmbëngulën shumë, por edhe Partizani reagoi duke ngushtuar shifrat me anë të blerjes së re, Milan Basrak. Trajneri i kuq, Juliano, ishte i qeshur pas takimit.
“Ishin përballë dy skuadra me fazë përgatitjeje të ndryshme – tha ai, – Ternana është gati për kampionatin, ndërsa ne jemi vetëm në fillim, ndaj edhe jo të organizuar si duhet. Gjithsesi, pashë gjëra të mira nga të dyja skuadrat. Jam shumë i kënaqur me të mitë, dhe i uroj sukses Ternanës.
Objektivi është padyshim që të përmirësohet vendi i dytë i vitit të kaluar. “Padyshim që ky është objektivi ynë, por që të fitosh nuk është asnjëherë e lehtë, – thekson trajneri italian, – Duhet të punojmë më shumë se të tjerët, të jemi më të zotë, dhe më dinakë se të tjerët, nëse duam të përmirësojmë atë që është bërë der tani. Partizani prej vitesh ka qenë pranë suksesit, dhe mendoj se ka ardhur koha që presidenti dhe tifozët të marrin kënaqësinë që presin”.
Gazetarët italianë duan të dinë si është Superliga shqiptare? “Kampionati shqiptar është i fortë në nivel teknik dhe fizik, – pohon ai, – Është shumë interesant sepse ka mjaft talente të vërtetë. Në nivel teknik, ende duhet të mësojnë diçka, por unë jam i lumtur sepse lojtarët kanë dëshirë të mësojnë, janë si një serbator që mund të mbushet. Duhen shumë pak seanca stërvitore për të bërë atë që i kërkoj. Jam i habitur, i kënaqur dhe i motivuar edhe më shumë”.
Sfidanti.al