Hysaj, viktima e parë e sezonit në Serinë A, edhe pse me teknologji!

Teknologjia për fat të keq nuk e vendosi drejtësinë. Elseid Hysaj u bë viktima e parë e sezonit të ri të Serisë A me risinë e quajtur VAR, iniciale që në shqip do të thonë Ndihmë e Gjyqtarit me anë të Videos. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u nxorr me karton të kuq në përballjen e Napolit në fushën e Veronës, një episod në të cilin parashikohet të përdoret teknologjia.

Nuk u përdor, siç ndodhi me të drejtë në Juventus-Kaljari, dhe Hysaj mori një karton të kuq të padrejtë, që do t’i kushtojë mungesë në ndeshjen tjetër të kampionatit. Edhe Napolit vetëm kjo gjë do t’i prishë punë, pasi goli i pësuar në fund thjesht ngushtoi diferencën e fitores së tij 3-1.

Skuadra e trajnerit Sarri, pretendente e fortë për titullin këtë vit, dominoi ndaj Helas Veronës në çdo drejtim, duke shfrytëzuar cilësinë e lartë të lojtarëve. Hamshik, Insinje, Kajehon, Zielinski, Diauara e Milik ishin më shumë sesa mund të përballonin vendasit, dhe golat erdhën radhazi.

Autogol i pari, Milik për të dytin dhe Gulam për 3-0. Sarri mund të ketë më shumë besim këtë vit, pasi përveç titullarëve pati në stol Mertensin, Alanin, Xhakerinin, që i hodhi në fushë në pjesën e dytë, por edhe Maxhon, Albiolin, Maksimoviçin, Zhorzhinjon e Rogun.

Gjithsesi, Hysaj duhet të rrisë nivelin sepse sipas mediave italiane, konkretisht “Il Korriere delo Sportit”, mbrojtësi shqiptar i Napolit luajti mirë vetëm për një pjesë loje, ndërsa pas pushimit ishte në krizë, pra nuk i prishi punë vetëm marrja e kartonit të kuq.

Sfidanti.al