Habit Vllaznia, shkatërron Flamurtarin me Sukajn e “ringjallur”!

A thua është kjo skuadra që po lufton për të mbijetuar? Shumëkush duhet të jetë habitur me Vllazninë që u vu përballë Flamurtarit dhe fitoi 3-0 në takimin e vlefshëm për Superligën. Diçka krejt e pazakonshme për një formacion që kishte mbledhur vetëm 22 pikë në 22 ndeshje, që ishte në vend të parafundit, dhe që kishte shënuar vetëm 20 gola deri tani.

Vllaznia tregoi se lavdia e vjetër e futbollit shqiptar mundet edhe të arrijë suksese ndaj njërit prej ekipeve më të mirë të vitit, Flamurtarit. Golat u shënuan nga mesfushori Erion Vucaj dhe dy herë nga sulmuesi Xhevahir Sukaj, por shkodranët mund të kishin fituar edhe më thellë. Kapiteni Gilman Lika gaboi në gjuajtjen e një 11-metërshi, ndërsa Sukaj pati mundësi të shënonte edhe gola të tjerë.

Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka tani 25 pikë, tri më shumë sesa Teuta, duke qenë e shpëtuar për momentin. Flamurtari, ndërkaq, po humbet shumë terren në një kampionat tepër të paqartë, duke qenë ende në vend të tretë, pra në zonën europiane, por duke i pasur shumë pranë rivalët Luftëtari, Laçi, Kamza e Partizani.

Sfidanti.al