Flamurtari po bie, por mos fajësoni vlonjatët për krizën!

Pak javë më parë, Flamurtari ishte një nga skuadrat më të vlerësuara të Superligës. Vlonjatët e trajnerit Duro kishin grumbulluar më shumë pikë se gjithë kundërshtarët e tjerë, përjashto Skënderbeun, ndërsa flitej për një mrekulli të arritur falë financave të sigurta, lojtarëve cilësorë dhe një trajneri me shumë përvojë.

Në janar, Flamurtari u përforcua me disa lojtarë, sidomos në sulm, dhe shumëkush mendoi se kuqezinjtë do të ishin në gjendje, në mos për t’i marrë titullin Skënderbeut, të paktëm për ta bërë garën më interesante. E kundërta ndodhi, dhe për të plotësuar tablonë, duhet shtuar edhe një faktor, gjyqtarët.

Skuadra nga bregdeti kishte arritur të dilte e dyta në fund të vitit 2017, me sakrifica të mëdha, dhe përkundër një fushate të vërtetë masakruese nga ana e arbitrave të caktuar nga FSHF dhe nga Shoqata e Gjyqtarëve. Kjo tendencë vazhdoi e pandryshuar edhe në 2018-ën dhe sot shohim rezultatet.

“Ekipi ka humbur besimin, – u shpreh Duro pas disfatës në Vlorë me Kukësin, që praktikisht e lë Flamurtarin jashtë Europës, – më vjen keq të largohem tani, por ngarkesa psikologjike është shumë e lartë dhe situata është shumë e vështirë. Nuk dua të flas më për gjyqtarët, pasi nuk është çështje e një ndeshjeje, por e arbitrimit që është bërë ndaj nesh gjatë gjithë vitit”.

Duro është krejt në të drejtë të tij. Flamurtari i këtij sezoni ngjan me një boksier ndaj të cilit arbitri lejon të bëhen goditje të ndaluara nën brez, dhe logjikshëm në raundet e fundit, atij i këputen këmbët, edhe nga goditjet, por sidomos nga tronditja e besimit për tradhëtinë që iu bë.

Sfidanti.al