Fundi i sezonit ka ardhur, dhe si gjithnjë nisin të ndodhin çudi. Nuk mund të quhet ndryshe fitorja e Vllaznisë ndaj Skënderbeut, me shkodranët në rrezik për të rënë nga kategoria dhe korçarët tashmë kampionë të Shqipërisë, thjesht ende të pashpallur. Përflitej shumë se kryesuesit mund të toleronin në “Loro Boriçi”, ashtu si edhe për tolerim të Laçit në Durrës, ndeshje që vërtet e fitoi Teuta.
Sidoqoftë, futbolli është i tillë dhe vendi i fundit edhe mund të fitojë me të parin, ndërsa pa pasur prova as nuk mund të ngrihen akuza. Skuadra e trajnerit Ilir Daja nuk është se luajti keq në Shkodër, ku fare mirë mund të kishte marrë barazimin. Gjithsesi, ajo besohet se e kishte ndjerë tronditjen për shkak të vendimit të ashpër të UEFA-s për ta përjashtuar me 10 vjet nga kupat e Europës. Edhe kjo mund të ketë luajtur një rol jo të vogël në ndeshjen e javës së 27-të të Superligës.
Vllaznia arriti një fitore të madhe që jep shpresë të fortë se mund të mbijetojë. Kaloi atë që mund të quhet teorikisht si prova më e vështirë, pra pritet ta ketë më të lehtë në ndeshjet e tjera, gjithnjë nëse gjërat ecin normalisht, jo sikur të ishim në botën e çudirave. Sulmuesi fierak Andi Ribaj ishte autor i dy golave për vendasit, ndërsa miqtë barazuan përkohësisht me anë të sulmuesit të tyre kryesor, Ali Soue.
Në Durrës, Teuta e gjeti shumë vonë golin që i duhej, vetëm në minutën e 85-të me anë të Shkallës. Pas këtyre ndeshjeve, Vllaznia mbetet e treta nga fundi me 30 pikë, ndërsa Teuta e parafundit me 29. Jo larg tyre është Kamza me 34 pikë, dhe sipas fjalëve të ndryshme është e paracaktuar për të rënë nga kategoria. Në pjesën e sipërme të tabelës, Skënderbeu mbeti i paprekshëm në krye me 60 pikë, ndërsa Laçi është i treti me 42.
Sfidanti.al