Pritej që të largohej, por ndodhi e kundërta. Orges Shehi do të jetë sërish trajneri i Tiranës, me vetë klubin kryeqytetas që njofton rinovimin e kontratës. Tekniku durrsak e përfundoi akordin me bardheblutë një ditë para finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias, ndërsa kishte oferta nga Shkëndija e Tetovës dhe nga Vllaznia e Shkodrës. Burime në klub pohojnë se presidenti Halili i ofroi thuajse të njëjtën shumë që i jepnin edhe tetovarët, diçka që e bindi Shehin që të firmoste sërish. Pas humbjes së finales, ai u shpreh se ishte tepër i lodhur dhe se do të mendohej disa ditë për të ardhmen, por gjithçka ndodhi shpejt.
Ish-portieri i Skënderbeut, Teutës, Partizanit e kombëtares, dhe ish-trajneri i Skënderbeut është prej dy sezonesh në stolin tiranas, duke u shpallur kampion në 2022. Këtë sezon, Tirana luftoi për titullin kampion në Abisnet Superligë dhe në Kupën e Shqipërisë, duke dalë në vend të dytë në të dyja. Shehi do ta drejtojë skuadrën rekordmene të titujve në vend, në Ligën e Konferencës, ku do të synohet kalimi të paktën i një raundi.
Sfidanti.al