Emrat e stadiumeve tona, Zeqir Ymeri e pëson si Ruzhdi Bizhuta dhe Qemal Stafa

Nuk mund t’i shmangeshin modës së fundit. Edhe stadiumi i Kukësit bëri ndryshim emri, ashtu siç ndodhi më parë me atë të Elbasanit dhe të kryeqytetit. Impianti i ndërtuar nga e para do të quhet “Arenë”, duke u braktisur emrin tradicional, Zeqiri Ymeri, ashtu si Elbasani braktisi Ruzhdi Bizhutën dhe Tirana mënjanoi Qemal Stafën. Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht president nderi i klubit, Safet Gjici, bëri njoftimin për vendimin e Këshillit Bashkiak. Zeqir Ymeri do të jetë emri i gjysmës së tribunës kryesore, ndërsa gjysma tjetër e kësaj tribune do të ketë emrin e Gramoz Palushit, tifozit shqiptar të vrarë në Greqi pas ndeshjes së dy kombëtareve në Euro 2004. Tribunat e tjera do të kenë emrat e ish-lojtarëve të të shquar të Kukësit ndër vite si Shkëlzen Domi, Sadik Zeneli dhe Neim Hoxha. Sipas lajmërimit të vetë Gjicit, nuk pritet që në Arenën e Kukësit të ketë ndeshje këtë vit. Në impiant vazhdojnë punimet, por sidomos shqetësimi më i madh ka të bëjë me tapetin e barit i cili ka nevojë për më shumë kohë, sidomos për shkak të motit të ashpër në Kukës gjatë dimrit.

Sfidanti.al