Ekuban i bën gjëmën, Agostinelit i mbarojnë edhe minutat shtesë

Ishte vërtetë një provë force e Partizanit, që ka dominuar pjesën më të madhe të takimit dhe në fund i ka gjunjëzuar korçarët në shtëpinë e tyre. Ka qenë Agostineli, ai që mundi Skënderbeun në këtë stadium, në fund të sezonit të kaluar, kur ishte në stolin e Partizanit. Ndërsa tani e dërrmon Starova, pikërisht në shtëpinë e tij të re dhe tashmë për trajnerin Italian duket se kanë përfunduar edhe minutat shtesë të qëndrimit në Shqipëri.

Vetëm dhjetë minuta lojë dhe korçarët kalojnë në avantazh. Lilaj dërgon një asist për Xhejms Adeni dhe sulmuesi nigerian, pasi kalon mbrojtjen e përgjumur të Partizanit, e kishte shumë të thjeshtë të mposhte edhe portjerin Hoxha. Më pas futbollistët e Starovës e stabilizuan fillimisht takimin dhe në minutat në vazhdim e dominuan. Gjatë pjesës së parë, Skënderbeu është i vakët, por veç të tjerash duke gabuar shumë në mesfushë. Në të 34’, në kampin korçar gabuar të gjithë nga pak, fillimisht Nimaga, Jashanica që nuk mundi të mbante ritmin e Ekuban, pas topit të saktë të marrë nga Torasa dhe në fund tregohet i pasigurtë edhe Shehi… 1-1.

Në pjesën e dytë, duket se Skënderbeu e nis lojën me një tjetër marsh dhe në të 52, një top I goditur nga Xhejms përplaset në traversë. Por vetëm kaq, ndërsa kthesa e korçarëve ishte thjeshtë një iluzion optik. Tre minuta më vonë, Ekuban fiton sërish një duel me Jashanicën, godet perfekt dhe 1-2. Në të 79’, Fili i futur në fushë pak minuta më parë, mund ta mbyllte ndeshjen, por nguroi dhe më pas gaboi shumë, megjithëse e kishte të gjithë kohën në dispozicion për të shënuar golin e tretë. Fundi ishin përpjekje të dëshpëruara të vendasve, por mbeti fitorja e Partizanit, që tani mbetet vetëm një pikë larg Kukësit kryesues.