Egnatia shkruan historinë, fiton Kupën e Shqipërisë!

Është bukur kur ndodh për herë të parë. Edhe më e mrekullueshme kur vjen pas një beteje të vërtetë, siç duhet të jetë sporti. Egnatia e Rrogozhinës i dha moral një sezoni me shumë dyshime, ndërsa fitoi së pari në historinë e saj Kupën e Shqipërisë. Skuadra e një qyteze me jo më shumë se 10 000 banorë triumfoi ndaj asaj që është “Zonja e Rëndë” e futbollit në vend, Tiranës, edhe pse u desh të linte shpirtin në fushë për t’ia dalë. Egnatia, e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova, u desh të priste 120 minuta, edhe pse bardheblutë mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 24-ët, kaq e vështirë ishte të thyhej tabuja. Golin e vetëm në minutën e 114-të e shënoi sulmuesi Xhekson.

Dalja me të kuqe e sulmuesit Berisha ishte një goditje po aq e rëndë për Tiranën, sa mungesat e shumta në formacion për shkak të dënimeve të Disiplinës pas ngjarjeve në Rrogozhinë në ndeshjen e kampionatit ndaj Bylisit. Gjithsesi, kjo nuk ia ul aspak meritat ekipit me traditë krejt modeste, por që ka qenë e papritura e madhe e këtij sezoni. Pasi doli e treta ne Abisnet Superligë, dhe pasi eliminoi Vllazninë në gjysmëfinale të Kupës, Egnatia mposhti edhe Tiranën. Për kryeqytetasit kjo ishte goditja e dytë në pak ditë, pasi humbën garën për titull me Partizanin, ndërsa të dyja skuadrat e kishin siguruar që më parë kualifikimin në Europë.

Sfidanti.al